Kjo është një ceremoni ndarjesh çmimesh nga bashkësia e aktorëve të kinemasë dhe atyre televizivë amerikanë dhe konsiderohet si çmimi i dytë më i rëndësishëm në Hollywood. Fituesi i madh i këtij viti në SAG ishte filmi THE HELP. Falë lojës së shkëlqyer të Emma Stone, Viola Davis, Octavia Spencer, Bryce Dallas Howard e Jessica Chastain filmi me regji të Tate Taylor, mundi të fitonte një vlerësim për kastin, e barazvlefshme kjo në këtë ceremoni me çmimin e "Filmit më të Mirë". THE HELP është marrë nga romani me të njëjtin titull shkruar nga Kathryn Stockett që trajton temën e racizmit dhe të respektit në dukje të familjeve të jugut në fillimin e viteve 60. Ky film fitoi edhe çmimin e "Aktores Më Të Mirë Protagoniste" Viola Davis e cila mundi koleget Glenn Close, Meryl Streep, Tilda Swinton dhe Michelle Williams. Edhe Octavia Spencer u zgjodh si "Aktorja Më e Mirë Jo Protagoniste" për interpretimin e saj në THE HELP.
Përsa i përket meshkujve, Jean Dujardin, interpretues i yllit memec të kinemasë George Valentin, ka mundur kolegët Demian Bichir, George Clooney, Leonardo DiCaprio dhe Brad Pitt duke fituar çmimin si Aktori më i mirë Protagonist. Çmimi i AKTORIT MË TË MIRË JO PROTAGONIST shkoi për Christopher Plummer, i cili në filmin BEGINNERS interpreton një burrë që i rrëfen të birit homoseksualitetin e tij. Sigurisht që surpriza e mbrëmjes ishte fitorja e Viola Davis që mundi Meryl Streep për rolin e Margaret Thatcher në filmin THE IRON LADY. Interpretimi i kësaj të fundit është favoritja në ceremoninë e çmimeve Oscars, por tani pas këtij zhvillimi të fundit nga ana e aktorëve (që janë edhe më të shumtit në Academy of Motion Picture Arts and Science), gjërat nuk duken edhe aq të sigurta. Ja dhe disa momente nga kjo ceremoni…
Kasti i filmit fitues të SAG 2012 – THE HELP
Viola Davis (Aktorja Më e Mirë Protagoniste) dhe Octavia Spencer (Aktorja Më e Mirë Jo Protagoniste) në SAG 2012