Dy qeveritë shqiptare, e Shqipërisë dhe Kosovës, përjkujtuan sot në një ceremoni të organizuar në qytetin e Kukësit, 15-vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, në kulmin e konfliktit të armatosur të vitit 1999. Në përfundim të ceremonisë u zhvillua konferenca“Nga eksodi te partneriteti strategjik”, e cila u hap me shfaqjen e një mini-dokumentari, me temë luftën e Kosovës, dramat që prodhoi, ndër to dhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama në fjalën e rastit vuri në dukje ndryshimin esktrem mes realitetit të 15 viteve më parë në dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë dhe atij aktual. “Kur e sheh me sytë e të sotmes të shkuarën e 15 viteve më parë, duket sikur ka kalur një jetë e tërë. Në njërën anë të kufirit në Shqipëri një vend i brishtë i dalë nga një rrënim ekonomik si ai i vitit ’97 me një qeveri në krye të së cilës ishte një djalë 30 vjeçar dhe nga ana tjetër e kufirit, Kosova në errësirën e një diktature gjithnjë e më barbare në një përpjekje të zgjatur në kohë e sakrifica, që shtrihej nga rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës tek fillimet e Luftës Çlirimtare të Kosovës”, kujtoi ai. Sipas Ramës, ishte aleanca e madhe ndërshqiptare, solidariteti mes tyre dhe humanizmi që i karakterizon, ç’ka bënë që Kombi ynë ta përballojë këtë dramë. Ai veçoi kontributin e kryeministrit të asaj kohe, Pandeli Majko. Por Kryeministri i Shqipërisë nuk harroi të shprehte mirënjohjen edhe për paraardhësin e tij në krye të qeverisë, Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, si pjesë e kontributit të përbashkët, për atë që siç tha ai, tashmë quhet çështja e shqiptarëve. “Nëse e kthejmë në çështje politikë, ndasitë i krijojmë krejt lehtësisht, por ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe, e cila deri dje mbante emrin çështja e Kosovës, por që sot natyrshëm mban emrin, çështja e shqiptarëve”, theksoi Rama. Mirënjohja e Ramës për mbështetjen ndaj çështjes shqiptare dhe kontributin e SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, erdhi edhe për Presidentët e Amerikës, Xhorxh Bush e Bill Klinton dhe për Aleancën Euroatlantike, të NATO-s. Rama vlerësoi më tej si shumë të rëndësishëm faktin që “vetëm 15 vjet pas luftës së Kosovës, 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore e gjen Ballkanin në paqe, e gjen këtë zonë të lindur dhe gjithmonë të shkuar përpara në jetën e vet përmes konfliktit dhe luftrave, në kushtet kur fryn një erë krejtësisht e re, kur nuk janë më konfliktete dhe luftrat, por paqja dhe bashkëpunimi që shtyn të gjithë drejt njëri-tjetrit”. Ndërsa e solli këtë argument si detajin më të bukur të takimit me Kancelaren Merkel, pak ditë më parë në Berlin, Rama tha se “për askënd nuk ishte e imagjinueshme të ndodhte që në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe vetëm pak vite nga lufta që përjetuan në lëkurën e tyre qindra mijëra qytetarë të Kosovës, Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë të gjenden së bashku në Londër, jo për të diskutuar ndarje territoresh apo marrëveshje armëpushimi, por për të diskutuar se çfarë do të bëhet me paqen, një paqe që në bindjen time është shumë e madhe për shpatullat e brishta të secilit prej vendeve të rajonit tonë, çka do të thotë që kërkon më shumë Europën në Rajon, që kërkon më shumë bashkëveprim mes nesh, për të kapërcyer ato pengesa që të vetëm nuk mundemi t’i kapërcejmë. Kjo është një kohë e re që do të bëjë të gjithë të reflektojnë për të ardhmen e Rajonit dhe për kohën që nuk pret për integrimin mes veti dhe me Europën e Bashkuar”, vlerësoi kreu i Ekzekutivit. Në këtë takim përkujtimor, Rama foli edhe për ndërveprimin institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës, tashmë në proces të pandalshëm. Ai veçoi ndër të tjera unifikimin e sistemit arsimor, ku siç tha ai, “çdo shqiptar, kudo ku ka lindur, në Prishtinë apo Tiranë, në Gjakovë apo Tropojë, në Pejë apo Sarandë, do të kenë një shkollë”. Në planin ekonomik, ai foli për intensifikim të marrëdhënieve të ndërsjellta të sipërmarrjes, ku hodhi idenë për krijimin e Dhomës Kombëtare të Tregtisë. “Nëse FIFA na pengon të kemi Kombëtaren tonë të futbollit, askush nuk na pengon të kemi Dhomën tonë Kombëtare të Tregtisë”, tha Kryeministri.

Advertisement