Kuçovë | Meta: rrotacioni është i domosdoshëm

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nga qyteti i Kuçovës, ku prezantoi ekipin e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Beratit, tha se “Kuçova i ka të gjithë potencialet që të gjallërojë jetën e saj ekonomike dhe sociale, sepse prioriteti ynë kryesor do të jetë nxitja e punësimit dhe hapja e vendeve të reja të punës”. Duke folur për ekonominë, Meta theksoi se “kriza ekonomike, financiare, evropiane dhe botërore tregoi në mënyrë të qartë se tregu nuk mund të zgjidhë çdo gjë dhe se roli i shtetit dhe politikat e qeverisë, janë të domosdoshme për të evituar kriza të tilla financiare dhe rritjen e problemeve sociale”. Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i LSI-së kujtoi veton e deputetëve të partisë së tij për buxhetin që do të kalonte në parlament dhjetorin e kaluar, pasi, sipas tij, nuk ishte parashikuar asnjë lek për rikonstruksionin e rrugës që lidh Lushnjen me Beratin dhe me Kuçovën. Kreu i LSI-së tha se të gjithë duam të bëhemi një shtet evropian, prandaj rrotacioni është i domosdoshëm.

Advertisement