Kthimi dhe kompensimi i pronave, Manjani: Mund t’i përfitoni që nesër

Ylli Manjani

Nga dita e enjte të gjithë shqiptarët mund të rimarrin pronat e tyre, apo kompensimin në lekë të pronës së tyre duke dorëzuar vetëm dy letra tek Agjencia e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave.

Këtë bëri të ditur të mërkurën, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili sqaroi se qeveria është e vendosur të rikthejë pronat tek pronari, aty ku prona është e lirë dhe të bëjë kompensimin në rastin tjetër. “Ka pasur shumë debate për kthimin e pronave. Jemi akuzuar vend e pa vend. Të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë pronarë të një prone, por ende nuk e kanë marrë, atëherë që nesër kanë mundësi përmes vetëm dy letrave, jo 30 siç ka qenë më herët, të rimarrin pronën e tyre. Në këtë drejtim, do të përfitojnë të gjitha ata, prona e të cilëve është e lirë. Në rastin tjetër, kur prona nuk është lirë, do të nisë kompensimi, për të cilin qeveria ka vendosur në dispozicion 24 milionë dollarë”, tha Ministri Manjani.

Advertisement

Ai bëri të ditur se nga nesër qytetarët shqiptarë do të duhet të paraqiten vetëm me dy letra në duar tek Agjencia e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave dhe kjo, vetëm në një zyrë, teksa shtoi se projekti i qeverisë parashikon që kompensimi apo rikthimi i pronave të bëhet deri në masën 70% brenda këtij mandati.

“Tashmë nuk duhet të keni një dosje voluminoze për ta fituar pronën, por do ju mjaftoj dokumenti që vërteton pronësinë, apo trashëgiminë dhe harta ku caktohet dhe pozicioni apo vendndodhja e pronës. Kam dhe një lajm të fundit, për të gjithë ata shtetas, prona e të cilëve është e zënë nga ndërtimet pa leje, duke nisur nga nesër fillon kompensimi, pra, kthimi i parave të pronës së zënë. Për fat të keq, ende në masën 70%, sepse kaq para kemi mbledhur dhe mbesim me angazhimin që 30%-shi i mbetur të jetë i mbyllshëm, apo i sqarueshëm deri në fund të mandatit të kësaj qeverie, por në varësi të ecurisë së procesit të legalizimit edhe më shpejt mund të jetë e arritshme”, tha Manjani.