Kryeministri Edi Rama ka organizuar mbrëmjen e djeshme një pritje për trupin diplomatik me rastin e festave të fundvitit.
Duke falënderuar ministrin e Punëve të Jashtme dhe ministren e Integrimit, kreu i qeverisë u shpreh se marrja e statusit të vendit kandidat dhe mirëqeverisja gjatë këtij viti është padyshim rruga e duhur për të ecur përpara në procesin e integrimit evropian. Por, tha Rama, “pa rezultatet e kësaj skuadre, Shqipëria nuk do të kishte sot statusin e vendit kandidat”. Rama gjithashtu falënderoi deputetët e Komisionit të jashtëm, të cilët u shpreh ai, “na kanë shtyrë të punojmë më mirë dhe më shumë”. Kryeministri Rama gjithashtu njoftoi se do të ketë një tjetër mbledhje të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, pas mbledhjes që u mbajt në janar në Prizren. Ndërsa duke folur për marrëdhëniet me BE-në, Kryeministri u shpreh se, Serbia nuk është më armiku i Shqipërisë, por fqinji ynë dhe duhet kthyer në një partner real në rajon. “Në 2015 Serbia bëhet vendi i parë i rajonit që merr kryesinë e OSBE-së. Shqipëria do ta mbështesë Serbinë në këtë detyrë të re. Shpresojmë që këtë progres të mund ta konstatojmë edhe në zbatimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Preshevë. Serbia nuk është më armiku ynë, por fqinji që duhet kthyer në partner real për të ecur në të ardhmen e përbashkët evropiane.” Duke përmendur arritjet gjatë këtij viti, Kryeministri Rama u shpreh se, “pa ndihmën e Kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe pa kompaktësinë e skuadrës tonë asgjë e mirë që është bërë për vendin nuk do të kishte qenë e mundur”. Ndërsa lidhur me bojkotin e opozitës, Rama theksoi se, “fakti që opozita nuk është në parlament nuk dëmton opozitën, por dëmton vendin dhe e cënon në sytë e të tjerëve. Nuk e di çfarë mund të bëjmë që të kthehen në vendin e punës, por mund të them se jemi gati për të bërë gjithçka që na kërkojnë”. Nga ana e tij ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati është ndalur tek zhvillimet politike gjatë vitit 2014, dhe marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Bushati theksoi se viti 2014 ka qenë një vit i suksesshëm, ndërsa sipas tij, “Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në rajon”.