Dëshmitë e banorëve flasin për dëshirë për tu pajisur me karta, por kjo nuk i bëhet e mundur. “Një sekondë e më parë të vazhdojmë të aplikojmë të marrim kartat. Jemi të gatshëm të fillojmë sa më shpejt të pajisemi, por këtu nuk ka filluar ende aplikimi. Ne vijmë këtu përditë të pyesim kryetarin e komunës, si i bëhet. Me sa duket kjo është skema që përdor ky shtet” u shpreh një banor. Edi Rama u ka bërë thirrje nga Nikla të gjithë shqiptarëve për të mos humbur durimin nga sorollatjet e qëllimshme të qeveritarëve, por të gjithë të aplikojnë dhe të marrin kartën e tyre të identitetit për të sjellë ndryshimin në këtë vend. “Ne do të qëndrojmë me forcë përballë kësaj tentative gjithmonë e më të qartë për të deformuar procesin zgjedhor dhe për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve, duke mos e lejuar popullin të votojë si një i tërë. Ju lutem mos humbni durimin! Ju lutem mos humbni dëshirën për të marrë pjesë në këtë ndryshim historik të 28 qershorit! Ju lutem bëhuni të gjithë bashkë për t’i dhënë krahë ndryshimit të domosdoshëm që do të ndodhë, do apo nuk do Sali Berisha.” u shpreh Rama para banorëve të Niklës. “Nuk mund të ketë zgjedhje në qoftë se nuk ka të drejtë qytetari që të zgjedhë. Nuk mund të ketë zgjedhje, në qoftë se qindra mijëra qytetarë e qytetare nuk kanë të drejtën për shkak se qeveria, i ndalon në këtë të drejtë, duke i ndaluar të aplikojnë. Ne nuk do lejojmë zgjedhje të cilat përjashtojnë qindra mijëra shqiptarë e shqiptare nga e drejta e votimit” shtoi më tej Rama. Më pas Rama është ndalur dhe në Fushë-Krujë ku vullnetarët e PS kanë ngritur çadra në të cilat ofrojnë asistencë për të gjithë qytetarët, të cilët shërbimi postar i sorollat apo që nuk e kanë emrin në lista. Çadrat e vullnetarëve të PS janë në këtë qytet për të nxitur njerëzit për të aplikuar për kartat e identitetit, por edhe për të dhënë asistencë lidhur me procedurat e pajisjes së tyre me letërnjoftimin elektronik.