Presidenca suedeze e BE-së mirëpriti letrën që kryeministrja Kosor kishte dërguar të premten e kaluar, kur ajo arriti një marrëveshje me homologun e saj slloven, Borut Pahor, për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kufitare ndërmjet dy vendeve dhe zhbllokimin e bisedimeve të anëtarësimit të Kroacisë në bllokun 27-anëtarësh. “Pas konsultimit me Republikën e Sllovenisë dhe konstatimit se garancitë e ofruara nga Republika e Kroacisë janë të mjaftueshme për heqjen e rezervave të Ljubjanës ndaj hapjes së kapitujve të negociatave të anëtarësimit, presidenca suedeze do të thërrasë më 2 tetor mbledhjen e konferencës ndërqeveritare për rinisjen e negociatave të anëtarësimit të Kroacisë me BE-në”, thuhej në letrën e kryeministrit suedez. Presidenca suedeze thekson gjithashtu se “të dy vendet kanë pranuar vazhdimin e negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kufitare me ndërmjetësimin e presidencës së BE-së”.


