Në deklaratë thuhet se “ministria dhe qeveria kroate nuk kanë lëshuar kurrë ndonjë informacion se po planifikojnë që në fund të muajit të nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e një centrali bërthamor”. “Nënshkrimi i një marrëveshje të tillë ëshë i pamundur pasi projekte të këtij lloji kërkojnë vite të tëra negociatash dhe planifikimesh paraprake” vazhdon deklarata duke cituar një sërë ekspertësh. Gjithashtu deklarata zyrtare mohon edhe shifrën e publikuar në disa media kroate se kosto e centralit do të jetë rreth 4 miliardë euro duke e quajtur atë një spekullim mediatik që nuk mbështetet në asnjë njoftim zyrtar. Megjithatë zyra e shtypit e kësaj ministrie deklaron se mundësia e ndërtimit të një centrali atomik në partneritet me Shqipërinë është diskutuar në fund të muajit mars, gjatë vizitës së zëvëndëskryeministrit polak, Damir Polancec në Tiranë. “Gjatë kësaj vizite – thotë ministria – Shqipëria dhe Kroacia ranë dakord që në fund të prillit të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi dhe të ngrenë një grup pune të përbashkët në nivel ekspertësh, për të prodhuar analiza dhe studime që do të shërbejnë si bazë për vendimet e ardhshme në lidhje me këtë projekt”. Ndërkohë në qytetin e Shkodrës qytetarët janë ngritur kundër këtij projekti duke e cilësuar një kërcënim serioz për të gjithë rajonin.