Kroaci – Konfirmohet ndërtimi i impjantit bërthamor në Shqipëri

Zëdhënësi i ministrit kroat të Ekonomisë, Tomoslav Mazal, tha se qeveritë e dy vendeve kanë formuar një grup pune prej 5 ekspertësh, të cilët kanë si detyrë që të zbatojnë nga ana teknike këtë projekt të madh. Kontrata është firmosur mes kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe kryeministrit kroat Ivo Sanader. Impianti do të ndërtohet afër Shkodrës aty ku lumi i Bunës buron nga liqeni i Shkodrës në detin Adriatik, afër kufirit me Malin e Zi dhe do të kushtojë 4 miliardë euro me një kapacitet 1500 megavat. Ndërtimi i impiantit do të bëhët nga kompania shtetërore elektrike kroate “HEP”, ndaj dhe pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar do të shkojë në Kroaci. Pas njoftimit që përkon edhe me 30 vjetorin e tërmetit shkatërrues që goditi bregdetin malazez në vitin 1979, eksperti i ndërtimeve Cedomir Cejoviç, ka paralajmëruar për rreziqet e ndërtimit të një impianti të tillë në një zonë që njihet për aktivitetin sizmik. Riviera jonë është 30 kilometra larg atij rajoni, çdo incident do të fshinte qytete të tëra nga harta. Liqeni i Shkodrës edhe pa incidente do të vihej në rrezik nga puna e impiantit, pasi temperatura do të rritet në disa gradë. Kjo do të shkatërronte jetën e gjallesave në këtë liqen, paralajmëron ky ekspert. Ndërkohë nga pala shqiptare ende nuk ka ndonjë koment për rreziqet e ndërtimit të këtij impianti.

Advertisement