Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan gjatë mesnatës dhe në orët e para të së Dielës, ringjalljen e Krishtit.
Mesha e Pashkëve, që u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos mblodhi mijëra besimtarë në Katedrale për të festuar ringjalljen e Krishtit.
Me shprehjen “merrni dritë, nga drita që nuk perëndon kurrë”, Kryepeshkopi Janullatos iu drejtua besimtarëve ortodoksë, në momentin e ringjalljes së Jezusit të Nazaretit, tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë, nga drita e pashueshme e Perëndisë.
Flaka që u ndez në atë moment simbolizon Ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq. Pashkët simbolizojnë edhe thelbin e Krishtërimit, Ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Besimtarët ortodoksë në të gjitha kishat e vendit kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi. Festa vazhdon ditën e sotme ku besimtaët shkëmbejnë vezët e kuqe me njëri-tjetrin, që përgatiten posaçërisht për drekën e pashkëve. Veza e kuqe cilësohet nga të krishterët si simbol i ringjalljes , pasi mban një jetë të re brënda saj.