Kosovë – Zannier reagon ndaj raportit te zyrës së koordinimit dhe zbatimit të strategjisë për Veriun e Kosovës

Kështu është shprehur sot përmes një deklarate për mediat, shefi i administratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zannier, në shenjë reagimi ndaj raportit se “administrata e UNMIK-ut në Mitrovicë, po e pengon integrimin e veriut”. Sipas tij, në këtë raport ka të pavërteta faktuale dhe përmbahen një numër pohimesh të pabaza. “Më vjen keq që autorët nuk janë konsultuar me mua apo zyrtarët adekuatë të Kombeve të Bashkuara gjatë përgatitjes së këtij raporti. Po ta bënin këtë, do të kishin mundësinë të publikojnë një raport të saktë”, thuhet në reagimin e shefit të UNMIK-ut. Raporti i fundit i Zyrës për koordinimin e zbatimit të Strategjisë për Veriun e Kosovës vlerëson se administrata në veri të Mitrovicës ka ndihmuar de fakto ndarjen ndërmjet komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera në veri të saj. “Administrata e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës është shndërruar në një pengesë të integrimit të këtij qyteti dhe po e ndihmon mbijetesën e strukturave paralele të Serbisë në atë pjesë të Kosovës. Në vend se të shpërbëjë strukturat paralele, UAM-i ashtu sikur edhe në të kaluarën, e mban autoritetin në veri të Mitrovicës dhe i lejon strukturat paralele të vazhdojnë qeverisjen”, ka cituar raporti në fjalë.

Advertisement