Ai ndahet nga kjo detyrë me porosinë për pasardhësit se është mjaft e rëndësishme ruajtja e qetësisë në veriun e banuar me shumicë serbe. Pas Kermabon, në krye të forcave të EULEX-it në Kosovë do të emërohet një tjetër francez, Xavier Bout de Marnhac, i cili zyrtarisht fillon detyrën më 1 tetor. Duke u larguar, Kermabon tha se misioni evropian gjatë punës së tij 2-vjeçare ka bërë të mundur rifunksionalizimin e pjesshëm të gjykatave në veri të Mitrovicës ku punojnë shtatë gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, si dhe praninë e doganierëve të EULEX-it në vendkalimet kufitare me Serbinë, të cilat ishin djegur nga protestuesit serbë pas shpalljes së pavarësisë. “Për mua më e rëndësishmja është t’u sigurojmë njerëzve sundim më të mirë të rendit dhe ligjit. Shumë njerëz janë të lodhur me krimin, korrupsionin e kontrabandën dhe është detyra jonë së bashku me institucione që ta përmirësojmë situatën në të mirë të qytetarëve”, tha Yves de Kermabon.