Ministri i Jashtëm i Gjermanisë e bëri këtë deklaratë në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Vestervelle konfirmoi se nuk do të ketë ndryshim kufijsh në rajon, duke nënvizuar se Kosova është punë e kryer. “Nuk do të diskutohet asnjëherë ndarja e Kosovës dhe për ne kjo është punë e kryer”, tha kryediplomati gjerman. Vestervelle tha se konfliktet dhe përleshjet me baza etnike nuk përkojnë me zhvillimin evropian duke i bërë thirrje palëve që të zgjidhin tensionet sa më shpejt dhe vetëm me dialog. I pyetur nëse integrimi i Serbisë në BE kushtëzohet me njohjen e Kosovës, kryediplomati gjerman deklaroi se “secili vend duhet të negociojë për anëtarësim, por njëra nga pikat që duhet të diskutohet është çështja e kufijve”. “Në vjeshtë ne do të diskutojmë për bisedimet e Kosovës me Serbinë. Kjo është një çështje që ka të bëjë me interesin e Europës në përgjithësi dhe qytetarët në Kosovë e Serbi. E rëndësishme është të respektohet politika e dialogut mes të dy vendeve” tha ministri Vestervelle. Ai i kërkoi pesë vendeve të BE-së që ende nuk kanë njohur Pavarësinë e Kosovës ta njohin atë, duke nënvizuar se Gjermania, e cila është ndër të parat vende që e ka njohur Kosovën shtet është një partner i mirë i saj.