Kosovë – Tragjedia “Tisa”, gjendet trupi i një fëmije

“Me datën 2 nëntor kemi pranuar informatën nga EULEX-i se, autoritetet e Serbisë kanë gjetur trupin e një fëmije dy vjeçar. Identifikimi i këtij trupi është në proces”, thuhet në një komunikatë të policisë së Kosovës. Numri i viktimave të rastit të ndodhur në lumin Tisa, të konfirmuar deri me tani, është nëntë persona, gjashtë janë gjetur nga autoritetet e Serbisë dhe tre nga autoritetet e Hungarisë. Policia e Kosovës, përmes EULEX-it, është njoftuar se autoritetet e Serbisë kanë gjetur në lumin Tisa trupin e një fëmije dhe se identifikimi i tij është në proces, ndërsa deri më tani numri i konfirmuar i viktimave të rastit tragjik është nëntë persona. Ndërsa, me qëllim që t’u gjendet në këto momente të vështira familjarëve të viktimave të tragjedisë së lumit Tisa, Zyra për media e Qeverisë së Kosovës bëri të ditur se kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë vendim që të ndajë nga dhjetë mijë euro për secilën familje. “Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar thellësisht që në bashkëpunim me institucionet përkatëse ndërkombëtare të marrë të gjitha masat e duhura që të gjenden shkaktarët e vërtetë të tragjedisë dhe ata të përgjigjen para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës. Po ashtu thuhet se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare për zbardhjen e fatit edhe të qytetarëve tjerë kosovarë, për të cilët ende nuk ka asnjë informacion.

Advertisement