Kryeministri tha dje se kthimi është një e drejtë e të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, që janë zhvendosur në Serbi, që të kthehen në shtëpitë e tyre. Sipas kryeministrit Thaçi, në Kosovë është ndërtuar një klimë dhe mjedis i sigurt dhe siguroi se qeveria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga paketa e zotit Ahtisaari dhe përgjegjësitë e saj. Procesi i kthimit të personave të zhvendosur pas përfundimit të luftës në Kosovë është cilësuar si shumë i vështirë, megjithëse autoritetet në Prishtinë kanë bërë me dije se vetëm në vitin e fundit janë kthyer mbi 180 familje serbe. Çështja e të zhvendosurve u riaktualizua pas përpjekjeve për të rindërtuar shtëpitë e familjeve shqiptare në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, proces ky që u kundërshtua nga një pjesë e serbëve lokalë në këtë qytet. Forcat e rendit sërish kanë hedhur gaz lotsjellës, të hënën, për të shpërndarë një grup të të rinjëve serbë që kanë protestuar kundër procesit të rindërtimit të shtëpive.