Kosovë – Thaci, të gatshëm të bashkëpunojmë më EULEX

Kryeministri Thaçi këto komente i bëri në mbledhjen e radhës të Bordit koordinues për sundimin e ligjit, në të cilën ishin të pranishëm edhe shefi i EULEX Yves de Kermanon, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministrat e Qeverisë së Kosovës etj. Me këtë rast, Thaçi shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me EULEX-in dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë për të krijuar paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik për Kosovën, e cila sipas tij, ka të ardhme të sigurtë evropiane. “Bashkëpunimi ynë në sektorë të rëndësishëm në këtë drejtim në veçanti, të gjyqësisë, policisë dhe doganave ka për qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit, por edhe funksionalizimin dhe fuqizimin e institucioneve tona në këto drejtime. Krijimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit dhe komunikimit efektiv janë shumë të rëndësishëm për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe është në interes të të gjithë qytetarëve të vendit”, ka thënë Thaci. Nga ana tjetër, shefi i EULEX, Kermabon ka vlerësuar lart angazhimin e institucioneve të Kosovës, të kryeministrit në veçanti për rëndësinë që i japin bordit për sundimin e ligjit. Ai ka theksuar se gjatë verës ka pasur mjaft çështje të nxehta dhe nuk ka qenë fare lehtë të kalohen, por ka kërkuar nga të gjithë që të mësohet nga e kaluara dhe të shikohen mundësitë e përmirësimit dhe koordinimit të plotë. Ai ka shprehur përkushtimin e EULEX it për t’i mbështetur kryeministrin, zëvendëskryeministrin dhe ministrat për themelimin e një gjendje të mirë të sundimit të ligjit që është bazë e çdo demokracie në botë.

Advertisement