Në letrën drejtuar Jagland, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje të gjitha autoriteteve kompetente, në veçanti EULEX-it, që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur dhe gjithashtu ka kërkuar hapjen e hetimeve rreth akuzave të Martit. “Po ju shkruaj këtë letër si përgjigje ndaj raportit të Asamblesë mbi “Trajtimin Johuman të Njerëzve dhe Trafikimin Ilegal të Organeve Njerëzore në Kosovë”, të përgatitur nga raportuesi i Asamblesë, senatori Dick Marty. Duke pasur parasysh se draft-raporti përmban një numër akuzash serioze, unë besoj se këto pohime nuk duhet të mbeten pa përgjigje. Për këtë arsye, si qënie njerëzore dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin që t`u bëj thirrje të gjitha autoriteteve kompetente, në veçanti EULEX-it, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur”, ka shkruar Thaçi. Thaçi gjithashtu thekson se e konsideron se është e një rëndësie të madhe që hetimet të fillojnë sa më parë që është e mundur dhe ka ofruar bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës kur të bëhen hetimet. “Për më tepër, unë fuqishëm ofroj të gjitha garancitë se qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë plotësisht në lidhje me hetimet e udhëhequra nga EULEX-i rreth këtyre pohimeve”, vazhdon letra.


