Kosovë – Thaci ftohet në Francë nga presidenti Sarkozi

Sipas mediave kosovare ftesa nga presidenti Sarkozi vjen në kuadër të takimeve të tij me kryeministrat e rajonit të Evropës Juglindore. Gjatë vizitës, kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë një drekë pune edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner. Kryeministri Thaçi në vizitën e tij zyrtare në Francë do të shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë. ”Gjatë vizitës në Francë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të mbajë një fjalim në Qëndrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qëndrën për Media të Huaja”, – njoftoi kabineti qeveritar. Në të dyja këto raste, Kryeministri Thaçi do të prezantojë para ekspertëve për çështje ballkanike dhe gazetarëve të mediave të shumta botërore arritjet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, rezultatet e qeverisjes së mirë dhe efektive të institucioneve kosovare, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, si dhe sukseset dhe sfidat në procesin e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike. Kjo është vizita e parë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Paris, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Temë kryesore e të gjitha takimeve të kryeministrit Hashim Thaçi me zyrtarët më të lartë në Paris do të jetë thellimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Francës, në këtë kuadër edhe konfirmimi i vazhdimit të mbështetjes së shtetit francez për zhvillimin e gjithanshëm të shtetit të ri të Kosovës.

Advertisement