Dëshmia e tyre cilësohet si mjaft e rëndësishme në këtë proces, pasi nga njëra anë kemi Shtetet e Bashkuara të cilat njihen si mbrojtësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovë, ndërsa Rusia si mbështetësja kryesore e Serbisë. Por dy shtetet tjera që renditen në këtë radhë janë edhe Spanja e Finlanda, edhe këto të ndara mes tyre me pro dhe kundër ligjshmërisë së deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Dje ka nisur java e dytë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me paraqitjen e qëndrimeve të Kinës, Qipros, Kroacisë dhe Danimarkës. Këto janë shtete të cilat paraqesin një rëndësi të veçantë në gjykim, duke iu shtuar listës së atyre që dhanë vlerësimin e tyre gjatë javës së kaluar, mes tyre edhe Shqipëria. Mes këtyre shteteve të përmendura, Kina dhe Qiproja nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe pritet që ato të flasin kundër saj në seancën dëgjimore.