Kosovë | Shpërthim te termocentralet

Një shpërthim i madh ka ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës, në Obliq, jashtë kazanave të Termocentralit Kosova A.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për mediat në Tiranë, se “nga shpërthimi në KEK mund të ketë të vdekur, por pritet konfirmim zyrtar”. “Në bazë të informacioneve që posedojmë deri tani bëhet fjalë për persona të lenduar, por dyshohet edhe për persona të vdekur, por jemi në pritje të konfirmimit të mjekëve kompetentë”, theksoi Kelani. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës deklaroi se “mund të konfirmoj që Policia e Kosovës ka pranuar se para orës 11:00 ka ndodhur një shpërthim në Obliq në një objekt të termocentralit A në Kosovë. Sipas Kelanit, mendohet se shpërthimi ka qenë aksidental, por pritet të kryhen hetimet për të dhënë një informacion zyrtar. “Po merren të gjitha masat nga ekipet profesionale të ekspertëve dhe po bëhet gjithçka për të përballuar situatën”, deklaroi Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. “Nuk ka kaluar ende rreziku, është izoluar pjesa e rrezikshmërisë”, tha Thaçi duke bërë të ditur evakuimin e punëtorëve nga vendet e punës në zonën e rrezikuar edhe nga ndonje shpërthim tjetër potencial. Nga Qendra Klinike Universitare bëhet e ditur se atje deri tani kanë mbërritur trembëdhjetë të lënduar, jashtë rrezikut.

Advertisement