Kosovë, sërish gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës nisi seancën plenare, ndërsa deputetët e opozitës hodhën sërish gaz lotsjellës në sallë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi për ndërprerje të seancës deri në krijimin e kushteve për rifillimin e seancës. Kryeparlamentari Veseli thirri mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Advertisement

Gazi losjellës u hodh në sallën e Kuvendit nga deputeti i VV-së Glauk Konjufca.

Pas hedhjes së gazit lotsjellës kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli urdhëroi  të gjithë të dalin jashtë sallës. Por deputetët e opozitës po vazhdojnë të qëndrojnë brenda në sallë. Në sallë po qëndron edhe policia që ka vendosur maska.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga VV-ja Glauk Konjufca tha se “veprimet e tyre janë politike dhe qëllimi ishte për ta bllokuar këtë kuvend dhe për ta paralizuar qeverinë e Kosovës”.

“Kudo që brenda kuvendit tentohet që të mbahet seanca, jemi të vendosur që ta pamundësojmë atë”, tha Konjufca për mediat.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për mediat pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Kosovës tha se “do të insistojmë që të mos zhvillohen seanca normale derisa qeveria ta kuptojë që marrëveshjet nuk duhet të kalojnë”.

Në seancën e sotme pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për buxhetin për vitin 2016.