Kosovë – Sejdiu, vizita e Biden me rëndësi historike

Ai tha se zoti Biden ishte dhe mbetet një nga mbështetësit e rëndësishëm për Kosovën, dhe se vizita konfirmon edhe njëherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe qytetarët e saj pa dallim. “Për ne shënon një kuptim të veçantë të intensifikimit të marrëdhënieve kaq të mira dhe të shkëlqyera që ka Republika e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadër të vizitës, dihet se ai do të vizitojë edhe vendet e tjera të rajonit dhe mendoj se mesazhet e tij themelore janë mesazhe për demokracinë dhe për paqen dhe ecjen e mëtejshme përpara”, tha presidenti Sejdiu. Në këtë kuadër, presidenti Sejdiu u bëri thirrje edhe qytetarëve të komunitetit serb që të jenë pjesë e procesit politikë dhe ta trajtojnë Kosovën si vendin e tyre. Komentet e presidentit Sejdiu u bënë pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet për pushtetin komunal që duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Biden ndodhet sot në Sarajevë, ndërsa nesër do të udhëtojë drejt Beogradit për të mbyllur të enjten turin e tij ballkanik me vizitën në Prishtinë.

Advertisement