Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu po vazhdon vizitën zyrtare në SHBA. Pas takimeve në Washington me zyrtarët më të lartë të administratës amerikane, me Nënpresidentin Xho Biden e sekretaren e Shtetit, Hilari Clinton, si dhe me kongresistë e përfaqësues diplomatikë të shumë shteteve në SHBA, Presidenti Sejdiu do të vazhdojë takimet në Nju Jork, dhe me ambasadoren e SHBA-ve në OKB, zonjën Suzan Rice, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të vendeve të ndryshme në OKB. Ai ka takuar ambasadorin Frenk Uizner dhe zonjën Rozmari Di Karlo, zëvendësambasadore e SHBA së në OKB. Në këto takime biseda u përqendrua në proceset që kanë të bëjnë me zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë në vazhdimin e procesit të njohjeve të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë. Presidenti Sejdiu kërkoi nga bashkëbiseduesit vazhdimin e ndihmës së tyre për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. Ambasadori Uizner dhe zëvendësambasadorja Di Karlo theksuan përkushtimin e tyre për të vazhduar me angazhimin në procesin e afirmimit të pavarësisë dhe të njohjeve të reja të Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë njohur atë.