Përfaqësues të opozitës kanë kërkuar që këto zgjedhje të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor. Pas takimit me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend, presidenti Sejdiu tha se do të vazhdojë edhe disa konsulta të vogla, siç u shpreh ai, me përfaqësues të partive në mënyrë që të caktohet një datë e përshtatshme për të gjithë. “Unë do t’i përmbahem kornizës ligjore e cila është shumë e qartë se kur zgjedhjet mund të shpallen dhe sa ato duhet të jenë në përputhje me mandatet e kuvendeve komunale, dhe them se me fillimin e javës, në ditët e para unë do të marrë një vendim”. Përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë kanë theksuar nevojën që zgjedhjet për pushtetin komunal të mbikqyren edhe nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës, përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve janë institucionet e Kosovës, përkatësisht Komisioni Zgjedhor Qendror. Ky mision vazhdon të ketë një qëndrim neutral ndaj pavarësisë së Kosovës dhe për këtë arsye, roli i tij në procesin zgjedhor është ende i paqartë. Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të marrë një vendim jo më herët se gjashtë muaj dhe jo më vonë se katër muaj para skadimit të mandatit të pushteteve aktuale në komunat e vendit.