Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer mohon se në Kosovë mund të ketë zvogëlim të mundshëm të trupave të KFOR-it dhe e quan spekulim. Më tej Sekretari i përgjithshëm i NATO-s shtoi se për momentin nuk ka asnjë plan, e aq më pak ndonjë vendim për reduktimin e KFOR-it. Reagimi i Jaap de Hoop Scheffer vjen pak ditë pasi në Prishtinë dhe në Bruksel qarkullojnë zërat se NATO-ja planifikon zvogëlimin e numrit të ushtarëve, që veprojnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë. “Dua të jem i qartë, ata që spekulojnë për reduktimin e mundshëm të KFOR-it, përfshirë këtu edhe njerëzit me uniformë, nuk flasin në emër të NATO-s”. “Ndryshimet e mundshme në KFOR do bëhen vetëm ne bazë të vendimeve politike të aleatëve, ndërsa ky vendim mund të merret vetëm kur aleatët do të jenë të sigurtë se zvogëlimi i mundshëm i ushtarëve të KFOR-it nuk do rrezikojë sigurinë në Kosovë”, ka thënë Scheffer, duke shtuar se ende nuk ka ardhur koha për këtë.