Kosovë – Republika Domenikane njeh pavarësinë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se do të anagazhohet në intensifikimin e raporteve të ndërsjella deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Letra është lëshuar nga Sekretariati i Shtetit i Republikës Dominikane për Marrëdhënie Ndërkombëtare, përmes së cilës shprehet pozicioni i qartë i Republikës Dominikane për Kosovën. Në letër thuhet: “Qeveria e Republikës Dominikane, në bazë të autoritetit kushtetues dhe në pajtim me praktikat dhe normat ndërkombëtare për njohjen e shteteve është pajtuar ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës”. Po ashtu në letër theksohet se, Republika Dominikane përgëzon autoritetet dhe popullin e Kosovës për arritjet dhe krijimin e strukturave institucionale që i mundësuan popullit të Kosovës të ketë shtet sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i shpreh mirënjohje institucioneve dhe popullit të Republikës Dominikane dhe do të punojë në intensifikimin e raporteve deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, thuhet në një komunikatë të kësaj ministrie. Republika Dominikane është bërë shtetit i 62 që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Advertisement