Raporti përfshin periudhën e kaluar tremujore, që ka të bashkangjitur edhe aneksin mbi punën e EULEX-it. Kryesuese e radhës për këtë muaj është Britania e Madhe, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, dhe një nga mbështetëset kyçe të Kosovës në organin ekzekutiv të OKB-së. Shefi i organizatës botërore, në raportin e fundit ka përshëndetur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ndihmuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke shpresuar se kjo do të konsolidojë më tej paqen dhe stabilitetin, si në Kosovë ashtu edhe më gjerë në rajon. Në raport, Ban Ki Moon nënvizon se qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës dhe rajonit lidhet me një proces të suksesshëm pajtimi në mes bashkësive, ndërsa ka shfaqur shqetësimin mbi tensionet në veri pas dhënies së mendimit rreth statusit të pavarur të Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në këtë seancë, Kosovën pritet ta përfaqësojë zëvendësministrja e Jashtme, Flora Çitaku.