Kjo lëvizje nuk do të njoh rezultatet zgjedhore në Skënderaj, Drenas, Malishevë dhe Deçan. Aktivistë të kësaj lëvizjeje në një konferencë për shtyp dëshmuan për rrahjet dhe kërcënimet që iu janë bërë gjatë zgjedhjeve në Malishevë dhe Deçan, ku kanë qenë në cilësinë e komisionarëve dhe vëzhguesve. “Vetëvendosje” ka evidentuar gjithsej 118 raste të ushtrimit të dhunës zgjedhore. Vëzhguesi i “Vetëvendosjes”, Aziz Krasniqi ka thënë se është rrahur në Bajë të Malishevës nga Vesel Krasniqi dhe Behluh Limaj, kushëri i nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, i cili, sipas dëshmisë, ia ka drejtuar revolen atij. Vetëm pas arritjes së policisë, sipas Krasniqit, është neutralizuar sulmuesi, i cili është ndalur nga policia. Edhe komisionari i Vetëvendosjes në Bajë, Burim Berisha, tha se ka qenë i kërcënuar gjatë gjithë ditës ndërsa po vëzhgonte zgjedhjet. “Erdhën 50 veta dhe na rrahën derisa erdhi policia”, tha ai. Edhe në Irzniq të Deçanit, vëzhguesit dhe komisionerët e “Vetëvendosjes” janë kërcënuar nga pas orës 17:00 kur personat e AAK-së, Naser Mazreku dhe Fisnik Lokaj, i kanë mbajtur të bllokuar në një klasë, ndërsa në klasën tjetër të shkollës kanë hyrë persona të maskuar dhe i kanë mbushur kutitë.