Kosovë – Prokuroria kërkon provat për raportin e Marty-t

“Prokuroria e Shtetit siguron Asamblenë se pohimet nga Raporti i raportuesit të saj, do të vlerësohen si informata shumë serioze, të mbledhura nga një parlamentar i saj dhe se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë faktorët relevantë për hetimin e drejtë dhe të paanshëm të informatave dhe të të gjitha pohimeve të prezantuara në raport”, thuhet në një komunikatë për media të Prokurorisë së Shtetit. Kjo Prokurori, ka bërë të qartë se Prokuroria Speciale është kompetente për të ndjekur edhe ata qe kane kryer keto vepra penale. “Kjo prokurori udhëhiqet nga një prokuror i Eulex-it, ndërsa përbëhet nga prokuror vendës dhe prokuror ndërkombëtar, kryesisht nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. “Prokurorët e kësaj prokurorie janë të përzgjedhur nga vendet me sistemet më të mira dhe më kredibile prokuroriale dhe të dyshohet në paanshmërinë, kapacitet dhe profesionalizmin e tyre për të zgjidhur edhe rastet e krimeve të luftës, duke përfshirë edhe rastin lidhur me pohimet në Raportin e Dik Martit është në radhë të parë fyerje për prokuroritë e atyre shteteve”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit. Prokuroria e Shtetit ka shprehur kundërshtimin kundër siç thuhet krijimit të opinionit publik për të prezumuar fajësinë e kujtdoqoftë duke vlerësuar se ky është ndikim në organet e drejtësisë dhe shkelje e të drejtave të njeriut. “Tribunali Hagës, i themeluar për të gjykuar krimet e luftës në ish Jugosllavi, në praktikën e deritashme, ka liruar persona të akuzuar për këto krime dhe asnjë prokuror dhe as ish prokurorët që kanë vepruar pranë këtij tribunali nuk kanë të drejtë që mossukseset e tyre për t`i dëshmuar akuzat e ngritura, t`ia atribuojnë vendimeve të gjykatave”.

Advertisement