Kosovë – PDSH bojkoton Kuvendin

Thaçi ka pohuar se mendon që edhe autoritetet e Shqipërisë të kërkojnë të vënë veto për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO “Ky vendim i PDSH-së nuk është obstruksion. Ky vendim i PDSH-së është parandalim. Ne mendojmë se në mënyrë korrekte e kryejmë punën e opozitës dhe i parandalojmë punët e këqia që mund të ndodhin”, ka thënë Thaçi. Në prag të përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Thaçi e përsëriti qëndrimin se kjo marrëveshje “është jofunksionale dhe e shkatërruar”, ndërsa BDI-së i ka bërë thirrje që ta braktisin qeverinë, në mënyrë që “të mos jenë bashkëveprues të politikës së keqe”. Kreu i PDSH-së i është përgjigjur edhe rekomandimeve dhe sugjerimeve të ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së, Ervan Fuere dhe Filip Riker, të cilët kanë bërë thirrje që të mos shkohet në vendimin për bojkotimin nga ana e PDSH-së. “Mendoj se të dy ambasadorët janë miq të PDSH-së, miq të shqiptarëve dhe miq të Maqedonisë. Kam mirëkuptim të plotë për shqetësimin e tyre, janë njerëz serioz dhe të gjithë shqetësohen, vetëm Qeveria nuk shqetësohet. Kanë njoftime ndoshta shumë të mira miqësore ndaj Maqedonisë, por fatkeqësia është se ato orientime nuk i pranon Qeveria e Maqedonisë.”, ka theksuar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Tallja e tillë ndaj shqiptarëve, mospërmbushja e asnjë marrëveshjeje qoftë të partive në koalicion ose Marrëveshjes së Ohrit, përfundimisht dëshirën e PDSH-së dhe timen që shqiptarët janë lojalë ndaj këtij shteti e kanë kthyer me kokën mbrapshtë dhe kjo pakënaqësi e madhe e shqiptarëve manifestohet me jolojalitet të skajshëm të shqiptarëve dhe çështja e tretë është kriza ekonomike. Këto veprime shkatërrojnë ardhmërinë e fëmijëve tanë dhe ne nuk mund të rrijmë që të heshtim”, ka theksuar Thaçi, duke përmendur edhe armiqësimin e pakuptueshëm të kësaj qeverie me shumë faktorë si Greqinë, Bullgarinë, bashkësinë ndërkombëtare, BE-në, NATO-n etj. Në këtë kuadër, lideri i PDSH, Menduh Thaçi, ka pohuar se mendon që edhe autoritetet e Shqipërisë të kërkojnë të vënë veto për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Edhe pse nuk ia kërkoi për një arsye këtë zyrtarisht Berishës në takimin që pati para pak ditësh në Tiranë, Thaci nuk ngurron ta bëjë publike atë për mediat maqedonse. “Sinqerisht në takimin me kryeministrin Berisha desha të kërkoj në emër të partisë që Shqipëria t’a përdorë veton ndaj Maqedonisë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni .Kisha një shqetësim se do të më keqkuptojë kryeministri dhe vendosa që herën tjetër ta hapim një çështje të tillë”, ka theksuar kryetari i PDSH-së, duke shtuar se gjatë qëndrimit në Tiranë në takimet me politikanët dhe analistë të rëndësishëm ka arritur që të krijojë opinion pozitiv lidhur me kërkesat e PDSH-së. Ai ka shtuar se këtë jave do të zhvillojë në Kosovë takime të niveleve të larta.

Advertisement