Kosovë – Pagat e pedagogëve shkojnë në 1000 euro

Vendimi u mor në mbledhjen e radhës së qeverisë e cila ka premtuar të rrisë 100% pagat e profesorëve dhe asistentëve të Universitetit duke pretenduar që niveli i arsimit të lartë në Kosovë të jetë konkurrues me vendet e Bashkimit Evropian. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi tha se pagat në arsimin e lartë do të sillen nga 500 euro për asistentët deri në 1000 euro për profesorët. “Kjo është rritje 100% e pagave të profesorëve. Me këtë vendim profesorit në UP i rriten pagat në nivel me vendet tjera të rajonit”, u shpreh Thaçi, duke kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij, që të mos bëhen xhelozë, për faktin se paga e profesorit tani e tutje do të jetë më e lartë se e vetë ministrit”. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj tha se sektori i arsimit të lartë është ndër më të rëndësishmit në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ndërsa Alush Gashi, ministër i Shëndetësisë tha se ngritja e pagave të profesorëve të UP-së, për Qendrën Klinike Universitare, është lajm shumë i mirë, pasi kjo rritje e pagave përfshinë tërësisht sistemin terciar dhe si e tillë, sipas Gashit, demonstron se shëndetësia është bërë interes nacional.

Advertisement