Në mbledhjen e qeverisë që u zhvillua mëngjesin e sotëm në Prishtinë, kryeministri në largim Hashim Thaçi tha se rritja e pagave tani është vendim shtetëror. Sipas këtij vendimi, nga 1 Janari të gjithë arsimtarët do të marrin paga 50% më të larta mbi pagën bazë, punëtorët e sektorit shëndetësor do të kenë rritje prej 30% nga paga bazë, nëpunësit civilë po ashtu do të kenë rritje prej 30% nga paga bazë, policia e Kosovës do të ketë rritje 40%, punëtorët e doganave dhe të administratës tatimore të Kosovës do të kenë rritje prej 30%, ndërkaq rritje prej 50% nga ky muaj do të ketë edhe për invalidët dhe familjet e dëshmorëve.