Kosovë – Ministri Hyseni uron Haxhinaston për marrjen e detyrës së ministrit në MPJ

Ministri kosovar duke i shprehur urimet më të përzemërta homologut të tij shqiptar, shkruan në mesazhin e tij të urimit se “Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, por edhe dy institucioneve tona, kam bindjen se ato do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej, gjatë mandatit tuaj”. “Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë përpara punë, synime e sfida të përbashkëta, të cilat edhe për më tej shtojnë domosdoshmërinë e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimeve të mëtejme ndër-shqiptare”, theksoi më tej zoti Hyseni. Sipas tij e ardhmja e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës është integrimi në Evropë. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës shkruan më tej se për këtë perspektivë të pashmangshme të rajonit të Ballkanit, duhet vlerësuar se çdo kontribut është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. “Kontributi dypalësh i institucioneve tona, do të bëjë një hap përpara në integrimet ndër-shqiptare, ndërkohë që do t’i afrojë Kosovën dhe Shqipërinë me familjen e madhe euroatlantike”, ka pohuar më tej ministri kosovar Hyseni. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës e siguron homologun Haxhinasto për përkushtimin personal dhe atë të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të punuar së bashku për stabilitetin, paqen, por edhe për të ardhmen evropiane të dy vendeve shqiptare në rajon. Në fund të mesazhit të tij, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni i uron suksese në detyrën e tij të re, ministrit Edmon Haxhinasto, i cili u emërua në detyrën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, të premten, pas betimit përpara kreut të shtetit, Bamir Topi.

Advertisement