Rezultatet e votimit do t’i paraqiten sot Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë, ndërsa zyrtarisht do të bëhet i ditur të premten. Në një konferencë për media, Ministri i Ekonomisë Ahmet Shala dje bëri të ditur se anëtarësimi i Kosovës nuk do të ketë drejtpërdrejt pagesë të menjëhershme prej 65 milionë eurosh në FMN duke theksuar se Kosova mund të tërheqë kredi të buta nga FMN-ja. Po ashtu ministri Shala ka deklaruar se Kosova që nga momenti i konfirmimit do të jetë anëtare e barabartë me të gjitha shtetet e tjera në FMN. Shala vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në FMN është parakusht për anëtarësim në çdo institucion tjetër financiar ndërkombëtar. Sipas tij anëtarësimi në fond hap dyert për anëtarësim edhe në Bankën Botërore. Fondi Monetar Ndërkombëtar, është një organizatë ndërkombëtare e 184 vëndeve me seli në Washington, D.C.. Qëllimi primar i themelimit të fondit monetar ndërkombëtar ka qënë që të krijohet një bashkëpunim monetar mes vëndeve me stabilitet monetar dhe marrveshje të rregullta të këmbimit monetar për të shpejtuar rritjen ekonomike, për të ngritur nivelin e punësimit dhe për të krijuar asistencë të përkohëshme të shteteve të varfëra për të balancuar sistemin pagesor.