Kryeministri Edi Rama njoftoi në rrjetin social Facebook se mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës do të mbahet në 11 Janar në Prizren dhe do të çelë një faqe të re bashkëpunimi. Rama shkruan se “me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë”. Sipas tij “kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri”. Ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaci shkruan se “në mbledhjen e parë do të marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe atë në fushën e integrimit evropian! Po ashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës!”.