Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke theksuar rolin e vet në zbatimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sundimin e shtetit ligjor, luftën ndaj kriminalitetit dhe kontrabandës, garantimin e pronës, lirisë së lëvizjes, paqes, demokracisë dhe perspektivës së zhvillimit ekonomik për mbarë qytetarët, në deklaratën e miratuar, rikonfirmon domosdoshmërinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të Kushtetutës së Kosovës në tërë territorin e Kosovës, duke garantuar ruajtjen e tërësisë territoriale dhe pacënueshmërinë e kufijve të pranuar ndërkombëtarisht të Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kuvendi i Kosovës mirëpret Deklaratën e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, të datës 8 shkurt 2010, në të cilën shprehet mbështetja e plotë për domosdoshmërinë e forcimit të përpjekjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, për veriun e Kosovës. Gjithashtu, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e tij për të siguruar që të gjithë shtetasit e Kosovës, të gëzojnë mbrojtjen e shtetit ligjor. Kuvendi mirëpret përkrahjen e Bashkimit Evropian e të bashkësisë ndërkombëtare për të bërë të mundur që të gjithë qytetarët të kenë përfaqësim demokratik në pushtetin qendror dhe lokal, të përfitojnë nga shërbimet e investimet dhe të kenë qasje në drejtësi. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson nëpërmjet kësaj deklarate, përkushtimin e tij ndaj vetëqeverisjes lokale dhe decentralizimit, sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, Kushtetutës dhe legjislacionit të miratuar prej tij.