Komunikata e identifikon çështjen si “Rasti KI 47/10: Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës”. Më tej thuhet se gjykata konstatoi, me shumicë votash se kërkesa e dorëzuar me 25 qershor 2010 është e pranueshme. Gjykata gjithashtu konstatoi se ka shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të Nenit 88.2, nga shkëlqesia e tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të partisë politike “Lidhja Demokratike e Kosovës” thuhet në njoftimin zyrtar në faqen e kësaj gjykate. Ekspertë të interpretimit të Kushtetutës thonë se në rastin kur gjykata konstaton shkelje serioze të saj nga Presidenti, atëherë “Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mund ta shkarkonte edhe atë me 2/3 e votave të kualifikuara”.


