Kosovë – Kryeparlamentari zotohet për përmbushje të detyrimeve

Konstatimi se Serbia po luan rol destruktiv, duke mbajtur struktura paralele në Kosovë, përshëndetet nga politikanët në Prishtinë, ndërkaq shihen si shumë shqetësuese faktet që nxjerr raporti për shkallën e lartë të korrupsionit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ende nuk e ka lexuar raportin final, por pavarësisht përmbajtjes, ai u zotua se Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin si sfida nga përmbajtja e këtij raporti. “Duhet ta kemi të qartë se raporti duhet të matet me të arriturat tona për integrime evropiane. Secili shtet që nuk ka hyrë në BE, i ka sfidat e veta dhe duhet ta krahasojmë edhe me Kosovën dhe brendapërbrenda Kosovës dhe me vendet e rajonit, dhe jo vetëm me vendet që tashmë janë në Unionin Evropian”, theksoi Kuçi për Radion Europa e Lirë. Në raport thuhet se bashkëpunimi i Prishtinës zyrtare me EULEX-in nuk është në përputhje me përkushtimin politik, prandaj kërkohet thellimi i këtij bashkëpunimi. Mes tjerash, raporti inkurajon edhe serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Advertisement