“Kjo qeverisje ka treguar se e mban fjalën”, deklaroi Thaçi, sa i përket premtimit për rritjen e pagave për nëpunësit e administratës. Gjatë mbledhjes së qeverisë pasi falenderoi dhe lavdëroi bashkëpunëtorët e tij ministra, për punën e kryer për realizimin e prioriteteve, kryeministri i Kosovës tha se qeveria e tij ka respektuar vullnetin e popullit në rrugën përdrejt integrimit në BE dhe aleancat e tjera euroatlantike. Thaçi garantoi se qeveria e tij do t’i qëndrojë besnike partneritetit me BE-në dhe SHBA-të, bëjnë me dije mediat e Kosovës. Gjatë analizës së punës së qeverisë, kryeministri i Kosovës deklaroi se ngjarjet më të suksesshme të vitit që po lëmë pas, janë: aksioni i policisë së Kosovës për vënien nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinjën dhe Bërnjakën në 25 korrik; nisja e negociatave me Serbinë, dhe oferta konkrete e BE-së për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me BE-në për qytetarët e Kosovës. Kryeministri i Kosovës tha se viti 2012 është një vit shumë i rëndësishëm për Kosovën, pasi në këtë vit do të vijnë edhe pesë njohjet e pavarësisë së Kosovës edhe nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin e ri.