Kosovë – Kryeministri cek siguron për vazhdimin e bashkëpunimit

Fisher gjatë një takimi që pati me krerët më të lartë të Kosovës tha se Çekia është gati të vazhdojë me politikën që ka filluar për njohjen e Kosovës. Në takime të ndara me kryeministrin Fisher, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi falënderuan shtetin çek për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës. Gjithashtu në vizitën e tij në Kosovë Fisher ka vizituar kontingjentin e ushtarëve çekë të cilët veprojnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. “Jam këtu të vizitoj trupat çeke me mision në Kosovë dhe Republika çeke vazhdimisht është interesuar për Ballkanin juglindor, për të mbajtur këtë rajon të qetë. Dua gjithashtu të uroj të gjitha të mirat në rrugën e vendit tuaj në të ardhmen. Dua t’ju siguroj gjithashtu se Republika Çeke do të vazhdojë ta mbështesë këtë rajon si anëtare e Be-së”, ka thënë kryeministri çek, Jan Fisher. Ndër të tjera Fisher shtoi se, “dëshiroj ta siguroj Presidentin Sejdiu se Republika e Kosovës do ta ketë përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme nga Republika e Çekisë në proceset e mëtejshme që do të kalojë Kosova, deri në fazën për integrim evropian”, tha kryeministri i Çekisë, z. Jan Fischer. Ndërkohë, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka falënderuar shtetin çek për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës. “Pata rastin të falënderoj kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Çekisë i ka dhënë Kosovën, edhe në kohët tepër të vështira që kemi përjetuar, edhe në periudhat e mëvonshme, në rrugën tonë drejt pavarësisë, në njohjen e pavarësisë, në vendimin e Republikës Çeke që të ketë ambasadë në Republikën e Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai gjithashtu ka përmendur interesimet dhe kontributin e Republikës së Çekisë, me theks të veçantë për bashkëpunim ekonomik në fusha të ndryshme. Presidenti Sejdiu ka theksuar po kështu edhe rolin e veçantë që ka kontingjenti i KFOR-it cek, në kuadër të trupave të NATO-s, në mbështetjen që i kanë dhënë paqes dhe stabilitetit në Kosovë, por edhe rolin e veçantë që kanë në kuadër të mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, si në EULEX etj. Ndërkaq kryeministri Thaçi tha se do të vazhdohet me raporte të shkëlqyeshme bilaterale mes Kosovës dhe Çekisë. “Kisha kënaqësinë ta takoj kryeministrin dhe ta falënderoj për mbështetjen e plotë shtetit të Kosovës, për njohjen, për prezencën e trupave çeke në Kosovë, për mbështetjen e plotë. Gjithashtu informova edhe për vazhdimin e implementimit të dokumentit Ahtisari, respektimin e kushtetutës, respektimin afirmativ të minoritarëve, progresin e arritur në Kosovë dhe sfidat që do të ballafaqohemi. Do të vazhdojmë të kemi raporte të shkëlqyeshme bilaterale mes Kosovës dhe Çekisë, në të ardhmen edhe Kosova si pjesë e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. Në takim është diskutuar edhe për mundësitë bashkëpunuese midis dy vendeve në fushën e ekonomisë, kulturës, e arsimit.

Advertisement