Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën u shqyrtua programi vjetor i legjislativit, ka deklaruar se institucioni që ai drejton është ai që vendos nëse do të ketë bisedime me Beogradin apo jo. Kryesia e Kuvendit të Kosoves gjithashtu mori vendim për themelimin e Grupit të Miqësisë, Kosovë – Francë. Krasniqi theksoi se pala serbe duhet ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës dhe më pas mund të bisedohet për interesa të dyanshme dhe cështje të ndryshme ndërshtetërore. Krasniqi tha se do të bisedojë me përfaqësuesit e Serbisë vetëm nëse për këtë gjë e autorizon Parlamenti i Kosovës. Sipas Krasniqit, bisedimet mund të zhvillohen për çështje teknike dhe vetëm pasi Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kryetari i organit legjislativ kosovar theksoi se deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë se çështja e statusit të Kosovës është ende në tavolinën e bisedimeve tregojnë se politika serbe nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën. Krasniqi ripërsëriti qëndrimin e institucioneve të Kosovës se pavarësia nuk është proces që mund të kthehet.