Kosovë – KQZ pa vendim për Gjilanin

Saturday, December 6, 2025

KQZ-ja u mblodh për të shqyrtuar raportin e Qendrës për Numërim dhe Rezultate mbi hetimin dhe rinumërimin e votave të Gjilanit, por nuk arriti ta miratojë atë. Në favor të raportit, që nxjerr fitues kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, votuan tre anëtarë të KQZ-së, kundër ishin tre, ndërkaq kryetarja e komisionit Nesrin Lushta abstenoi. Vota abstenuese e zonjës Lushta ka qenë vendimtare që vendimi për Gjilan të shtyhet për një herë tjetër. Procesi zgjedhor në Gjilan mbetet i papërfunduar edhe pas hetimit dhe rinumërimit të votave në këtë komunë. Njoftimet jozyrtare flasin se ka pasur një numër të papërfillshëm votash të keqpërdorura, që në asnjë rrethanë nuk e ndryshon rezultatin e dhënë më parë. Bëhet e ditur se kandidati i PDK-së, Qemajl Mustafa, edhe pas rinumërimit të votave prin me një përqindje të vogël ndaj kanditatit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fatmir Rexhepi. Raporti për hetimin dhe rinumërimin e votave të Gjilanit duhej të miratohej me të paktën 2/3 e votave të nevojshme. Një anëtar i PDK-së në KQZ, Xhelil Pajaziti ka kritikuar zonjën Lushta se duke abstenuar po e zvarrit procesin. Anëtari i LDK-së në komision, Florian Dushi, ka kërkuar nga organi i zgjedhjeve që edhe Gjilanin ta çojë në rivotim, si dy komunat e tjera, Prizrenin dhe Lipjanin, ku në zgjedhjet e balotazhit ishin konstatuar parregullsi serioze.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -