Kosovë | Kosova në zgjedhje: votojnë Kryetarja e KQZ dhe Presidentja e Republikës

Votimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të dielën nisën në orën 07:00. Në ambientet e Fakulteti Teknik të Universitetit të Prishtinës, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, votoi në Qendrën e Votimit 1907E në Vendvotimin 01R , duke hapur dhe Ditën e Zgjedhjeve.

Në një konferencë për shtyp pak më parë në Qendrën mediale të KQZ, Daka tha se “duke u bazuar në raportet e komisioneve komunale të zgjedhjeve në orën 07.00, janë hapur me rregull të gjitha vendvotimet, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”. Në emër të KQZ u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që tashfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe uroi sukses e punë të mbarë për të gjithë. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga votoi në orën 10:00, në Qendrën e Votimit në Sallën e Sporteve “1 Tetori”. Në një deklaratë për mediat, Presidentja Jahjaga tha se, “sot përmbusha obligimin tim qytetar dhe ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në çdo cep të shtetit tonë, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore. Vetëm kështu ata do t’i ndihmojnë vendit dhe do të përcaktojnë të ardhmen e shtetit të tyre”. Këto zgjedhje, vijoi Jahjaga, dëshmojnë demokratizimin dhe përcaktojnë edhe shkallën e pjekurisë së shtetit dhe shoqërisë sonë gjithëpërfshirëse. “Dita e sotme është një provë e zhvillimit të gjithanshëm të shtetit tonë”, u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës.

Advertisement