Kosovë – KMDLNJ reagon për shpërthimin në Mitrovicë

KMDLNj kish tërhequr vëmendjen më parë për situatën e tensionuar që sipas këshillit pritet të ketë ndërlikime të reja për shkak të mosfunksionimit të ligjit, përjashtimit të institucioneve të Kosovës nga veriu i saj, mosgatishmërisë dhe mungesës së vullnetit politik të ndërkombëtarëve që atje të vendoset rendi dhe ligji, si dhe ndërhyrjes së vazhdueshme të Serbisë, e cila jep kontributin e saj që dhuna të mbetet mundësia kyçe për zgjidhjen e problemeve. Një tjetër shkak është edhe përqendrimi i kriminelëve në këtë pjesë të Kosovës, që aktualisht administrohet nga Serbia. KMDLNj, thekson në reagimin e saj për mediat se qytetarët e Mitrovicës kanë të drejtë të protestojnë, por në mënyrë paqësore. Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut shprehu keqardhje për vdekjen tragjike të dr. Xhekoviqit dhe lëndimin 10 protestuesve serbë, qytetarë të Republikës së Kosovës. Por, këshilli i vlerëson të qëllimshme deklarimet e menjëhershme, të politikanëve të Serbisë, por edhe të atyre të Kosovës, të cilat i vlerëson si deklarime politike me qëllime të tjera, që sipas KMDELNj vetëm rëndojnë situatën, e cila mund të prodhojë dhunë me pasoja të paparashikueshme. KMDLNj kërkoi nga policia të hetohet ngjarja dhe të dënohen fajtorët, gjithashtu kërkon nga politikanët përgjegjës që të zbusin retorikën e tyre, e të mos akuzojnë askënd në fazën e hetimeve. Ndër të tjera KMDLNj, thekson se ngritja e këtij incidenti në nivel aq të lartë siç është diskutimi para Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndikon në politizimin e rastit dhe inkurajimin e ekstremistëve, për destabilizimin e situatës në Mitrovicë.

Advertisement