Kosovë | Këshilli i Sigurimit diskuton raportin tre mujor për situatën

alt

Ministri i Jashtëm i Serbise Vuk Jeremic në fjalimin e tij gjatë punimeve të këtij sesioni theksoi se situata në Veri nuk është përmirësuar, por përkundrazi, tha ai, janë rritur rastet e dhunës dhe krimit. Sipas Jeremic, situata në veri rrezikon paqen dhe stabilitetin në Kosovë. “Është rrezik për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Është një rrezik i vazhdueshëm për shkak të rritjes së dhunës dhe tensioneve. Përmirësimi i situatës është i ngadalshëm. Asgjë nuk është bërë më mirë pasi dhe trendi i dhunës po ndodh dhe numri i të kthyerve serbë në shtëpitë e tyre mbetet ende shumë i ulur” Jeremic kujtoi se dhe vizita e Presidentit serb Boris Tadic në Kosovë për Krishtlindje u prit me protesta e dhunë. “Vizita e Tadic për Krishtlindje ku bëri thirrje për paqe u prit me protesta dhe sulme me gurë”. Jeremic falenderoi EULEX për shumë raste gjykimi të cështjeve dhe UNMIK për mbrojtjen e popullatës në veri. Ministri i Jashtëm serb theksoi se duhen pranuar rezultatet që Kosova veriore mbetet ende problem. “Në muajin dhjetor pati situata shumë të tensionuara. Ne në mënyrë pa ekuivok dënojmë dhunën dhe kërkojmë që të zgjidhen problemet me negociata pasi në Dhjetor situata eskaloi. Falenderojmë përpjekjet e UNMIK që siguroi veriun”. Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Jeremic ka thënë se “ajo mbetet jostabile për shkak të përpjekjeve të njëanshme për të ndryshuar realitetin në terren, në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe me vullnetin e banorëve shumicë”. Duke vënë në dukje se raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, ka konstatuar progres në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Jeremic ka thënë se Serbia vazhdon t’i përkushtohet këtij procesi, sepse, sipas tij, ai është mekanizmi i vetëm legjitim për tejkalimin e pengesave. “Kërkimi i rezultateve jashtë bisedimeve është i padobishëm dhe kundër-produktiv”, ka thënë Jeremic. Ministri i Jashtëm serb ka komentuar edhe pjesën e raportit të Ban, ku flitet për “trafikimin me organe njerëzore”, konkretisht rastin Medikus. Jeremic ka thënë se misioni evropian, EULEX, nuk mund të operojë me një kapacitet maksimal jashtë Kosovës dhe se nuk e ka mandatin e duhur që do t’i mundësonte kryerjen e hetimeve të plota. “Vetëm hetimet e kryera nën mandatin e Këshillit të Sigurimit mund të sigurojnë një gjë të tillë”, ka thënë Jeremic. Nga Kosova në takim merr pjesë ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj. Siç raportojnë mediat në Kosovë, Hoxhaj në KS do të kërkojë mbështetje për shpërbërjen dhe largimin e strukturave paralele serbe nga veriu i Kosovës, si parakusht për paqe dhe stabilitet në gjithë rajonin. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e mori fjalën menjëherë pas Jeremic. Ai deklaroi se “vizoni i qeverisë së Kosovës është të ndryshojë politikat e konfliktit. Kosova është një demokraci shumë etnike”, tha ai, ndërsa shtoi se njohja nga më shumë shtete mbetet prioritet i qeverisë së Kosovës. Duke folur në lidhje me dialogun teknik, Hoxhaj akuzoi Serbinë se nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sipas tij Serbia ka shkelur rezolutën 1244. “Beogradi financon strukturat paralele në veri. Serbia të përmbahet me ndërhyrjet në Kosovë. Serbia të angazhohet plotësisht, të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel, të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë. Serbia të mos bëjë premtime boshe dhe nga ana tjetër të mos i zbatojë në terren. Serbia nuk i ka mbajtur premtimet e arritura në Bruksel. Qytetarëve të Kosovës i mohohet lëvizja në veri, pasi Serbia mban atje policinë e saj, ndërsa EULEX dhe KFOR nuk lejohen të kryejnë detyrën e tyre”, tha Hoxhaj. Hoxhaj tha më tej se, gjendja në veri do të përkeqësohet, nëse Serbia merr statusin kandidat në BE. “Nëse Serbia merr statusin kandidat në BE pa hequr strukturat paralele pasojat do jenë afatgjata. Marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen nga pala serbe, duke lënë të hapur rrugën për konflikt”. Ai shprehu ndër të tjera gadishmërinë e institucioneve të Kosovës, për t’i shkuar deri në fund një hetimi të pavarur e të gjithanshëm mbi akuzat e ngritura nga Dick Marty. Në raportin tremujor te sekretarit të Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon është shfaqur shqetësimi për situatën në veri të Kosovës ku vazhdojnë të mbeten të ngritura barrikadat e serbëve dhe pengesat për qarkullim të lirë të njerëzve dhe të mallrave.

Advertisement