Shefi i EULEX, Kermabon tregoi se hetimet mbi Ministrinë e Transportit janë vetëm fillimi, ndërsa komandanti i operacioneve civile shtoi se rasti Limaj ka gjetur përkrahje në opinionin publik. Raportuesja për Kosovën, Lunaçek deklaroi se përfundimi i këtyre hetimeve ka rëndësi thelbësore veçanërisht për kredibiletin e BE-së në Kosovë. “EULEX ka hyrë në një periudhë transformuese duke nisur në masë të gjerë hetime publike dhe kontrolle banesash në lidhje me akuzat për korrupsion publik të cilat mendoj se kanë riformatuar perceptimin e publikut në Kosovë për misionin”, deklaroi Kes Klompenhouer, Komandanti i Operacioneve Civile. “Sfida kryesore e misionit është që të mos politizohet. Shteti ligjor nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës. EULEX nuk është në Kosovë për të administruar Kosovën ose pjesë të Kosovës. Ne nuk merremi me politikë. Sigurisht disa nga veprimet tona mund të kenë pasoja politike për shembull nëse politikanët e lartë paditen, akuzohen, por këtë në ua lëmë të tjerëve. Ne merremi me shtetin ligjor”, tha Ives de Kermabon, Shef i EULEX-it në Kosovë. “Stabilitetit është në Kosovë dhe është e rëndësishme që shteti ligjor të mbështetet, të ecë përpara, ndaj këto hetime duhet të shkojnë deri në fund, që do të thotë se është e nevojshme që t’i nënshtrohen akuzës edhe ministrat në qoftë se ky është rasti”, tha gjatë fjalës së saj raportuesja, Ulrike Lunacek. Sipas Kermabon, EULEX-i përballet me sfida të mëdha administrative e logjistike, si dhe vështirësinë e vazhdueshme për rekrutim të personelit.