Kosovë | Kancelarja gjermane Merkel viziton vendin

Monday, December 22, 2025

Zonja Merkel garantoi mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës, duke nënvizuar në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaçi se “Ne jemi të angazhuar për Kosovën, dhe është tejet e rëndësishme që Kosova të zhvillohet dhe aty të sundojë ligji”. Pasi falenderoi për pritjen e përzemërt të ofruar në aeroportin e Prishtinës me të mbërritur, kancelarja gjermane bëri me dije se është tejet e rëndësishme për Kosovën bashkëpunimi me EULEX-in, në mënyrë që bashkëpunimi siç tha ajo, të mos mbetet vetëm në letër. Kancelarja Merkel u ndal tek situata në veri të Kosovës, duke garantuar se ajo ka biseduar me Presidentin serb Boris Tadiç, për gjetjen e mundësive dhe zgjidhjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj duhet të gjendet zgjidhje paqësore për veriun. “Këtë pritshmëri unë e kam edhe për Kosovën, që edhe pala kosovare të japë kontributin e saj. Ne dëshirojmë që me ushtarët tanë dhe me përfaqësuesit tanë të angazhohemi që ky rajon të jetë më i sigurt. Duhet që edhe Kosova të ketë vullnetin për t’u angazhuar bashkë me ne”, theksoi kancelarja gjermane. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se dialogu teknik është rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë. Kryeministri e siguroi kancelaren gjermane se zotohet për progresin e Kosovës në të ardhmen, duke nënvizuar se historia nuk duhet të bëhet pengesë për procesin. Thaçi bëri me dije se “qytetarët serbë në veri të Kosovës janë qytetarët e vendit tim”. Sipas tij në veri të Kosovës, konflikti i vetëm është ai mes ligjit dhe anarkisë. Ai i uroi shërim të shpejtë ushtarëve të KFOR-it, duke nënvizuar se ata i kanë dhënë shumë sigurisë së Kosovës, e njohur tashmë si shtet nga 85 vende të botës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -