Kosovë – Javën e ardhëshme nis dialogu për liberalizim vizash

Një delegacion ekspertësh të Komisionit Evropian do të takohen të mërkurën e ardhshme, për tri ditë radhazi në Prishtinë, me zyrtarë qeveritarë, me të cilët do diskutojnë kriteret për liberalizimin e vizave. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi shpjegon se takimi shënon edhe fillimin e dialogut për vizat. “Edhe pse takimi nuk quhet ende dialog për liberalizim vizash, të gjitha kriteret janë aty. Ne presim që Komisioni Evropian këtë takim e ka ruajtur me qëllim dhe besoj se do të vijë me risi. Axhenda është listuar pikërisht ashtu edhe siç është udhërrëfyesi”, thotë Rexhepi. Në të njëjtën frymë shprehet edhe eksperti për integrimet evropiane, Shenoll Muharremi. Ai thotë se axhenda e takimit është e ngjashme me ato që Komisioni Evropian ka zhvilluar me vendet e rajonit, të cilave u kishte dhënë udhërrëfyesin për liberalizim vizash. “Nëse e shihni me kujdes axhendën se çka do të bisedohet në këtë takim, shumica e temave dhe e kritereve të procesit janë të përfshira në këtë takim”. Komisioni Evropian nuk i ka dhënë udhërrëfyesin për liberalizim vizash Kosovës, ndërsa pengesë kryesore fillimisht ka qenë statusi i pazgjidhur, e pastaj mosnjohja e Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së.

Advertisement