Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 8 qershorit janë mbajtur në një atmosferë të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme.
Presidentja Jahjaga përgëzon qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme dhe kontributin për mbarëvajtjen e tyre demokratike. Ajo tha se parregullsitë eventuale janë duke u shqyrtuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për t’u siguruar se vota e lirë e qytetarëve dhe vullneti i tyre politik është garantuar. Presidentja Jahjaga përgëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit për përpjekjet dhe punën e tyre për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent. Presidentja Jahjaga vlerëson përkushtimin dhe angazhimin e partive e subjekteve politike, si dhe të të gjithë kandidatëve që kanë kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Presidentja Jahjaga vlerëson angazhimin e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin Vëzhgues të BE-së, që ka vëzhguar me kujdes gjithë procesin, duke i dhënë edhe legjitimitet ndërkombëtar zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend. Presidentja Jahjaga falënderon Misionin e OSBE-së, të EULEX-it si dhe KFOR-in për mbështetjen e tyre në sigurimin që të gjitha komunitetet në Kosovë të marrin pjesë në këto zgjedhje në një mjedis të qetë dhe të sigurt. Presidentja Jahjaga thekson se Kosova dhe qytetarët e saj e kaluan me dinjitet dhe me maturi këtë sprovë në konsolidimin e shtetit tonë. Në ditët në vijim, është me rëndësi që të dëshmojnë të njejtin përcaktim dhe të kontribuojnë në përmbylljen e këtij procesi demokratik, qenësor për të ardhmen e vendit tonë.