Kosovë – Gjykata dënon me paraburgim 21 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje

Në komunikatën për mediat të lëvizjes thuhet se ky vendim i gjykatës flet qartë për atë që në Kosovë nuk ka ndryshuar asgjë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Kosova vazhdon të jetë e sunduar nga misionet ndërkombëtare (UNMIK, ICO, EULEX etj), të cilat kanë pushtet ekzekutiv dhe imunitet ndaj ligjit, si dhe nuk e njohin ekzistencën e shtetit të Kosovës. EULEX-i është trashëgimi e UNMIK-ut (vetëm nëpër vendbanimet me shumicë shqiptare), duke qenë njëkohësisht pjesë e tij, në dy aspekte të rëndësisë kryesore: •Në aspektin juridiko-politik – EULEX-i është në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 dhe planit 6 Pikësh, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe punon për zgjerimin dhe forcimin e Serbisë brenda Kosovës, si dhe ka pushtet ekzekutiv përmbi institucionet e vendit dhe pavarësisht tyre •Në aspektin praktik – EULEX i mbanë të robëruara gjykatat dhe policinë e Kosovës duke iu vendosur atyre përmbi dhe duke hyrë brenda tyre. Gjykatat dhe policia e Kosovës nuk kanë arritur që të çlirohen dhe pavarësohen nga misionet e huaja, dhe punojnë për mbrojtjen e pronës së këtyre misioneve e kundër interesave dhe vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë që EULEX e vazhdon zbatimin e standardit të dyfisht në raport me qytetarët e Kosovës – për vrasje dhe rrezikim të jetëve të njerëzve strukturat paralele ledhatohen, ndërkohë që për dëmtim prone shqiptarët dënohen. Në Kosovën e pas shpalljes vazhdon të mos jetë e levërdishme të jesh shqiptar. Shqiptimin e sotëm të masës së paraburgimit e ka mundësuar dhe kushtëzuar dënimi i djeshëm e i sotëm i aktivistëve nga strukturat politike në vend. Pieter Feith dje kishte dënuar me fjalët më të ashpra aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! duke kërkuar hetim të thuktë të rastit dhe dënim të akterëve. Ky është urdhër për gjykatat, dhe e pamundëson autonominë e tyre. Ndërkohë që sot deklarata e përbashkët e krerëve institucional të Kosovës pas takimit me Feith dhe Kermabon e dënon ashpër “dhunën e demonstruar në Mitrovicë dhe demolimin e i pasurisë së EULEX-it” duke i barazuar këto dy ngjarje që në thelb dhe në shpërfaqje janë diametralisht të kundërta. Strukturat paralele të Serbisë në pjesën veriore kanë përdorur armë zjarri dhe granata dore për t’i parandaluar shqiptarët të kthehen në pronën e tyre. Ndërsa Lëvizja VETËVENDOSJE! ia ka dëmtuar pronën EULEX-it për ta kundërshtuar minimin që EULEX-i i bën sovranitetit të Kosovës. VETËVENDOSJE! e kundërshton EULEX-in për ta vendosur drejtësinë në vend, një drejtësi që bazohet në parimin e së drejtës për vetëvendosje dhe në gjykata të pavarura e të paanshme, ndërsa strukturat paralele të Serbisë punojnë për ta vazhduar padrejtësinë e okupimit të dhunshëm të Kosovës nga Serbia. Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare këtu i barazojnë këto dy ngjarje për t’i dënuar më lehtë aktivistët e Lëvizjes, ndërkohë që vazhdojnë t’i lënë të paprekura strukturat paralele. EULEX-i gabon, sikurse UNMIK-u, kur mendon se arrestime, rrahjet dhe paraburgosjet e aktivistëve e ndalin Lëvizjen. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë aktivisht këtë mision dhe veprimet e tij në Kosovë”.

Advertisement